DEPOLITIZIMI I ADMINISTRATËS ZGJEDHORE

Kodi Zgjedhor, në nenin 29, pika 1, përcakton se Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët emërohen nga KQZ-ja sipas procedurës së mëposhtme:


a) dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë;


b) anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga partia e parë e shumicës parlamentare, kurse gjysma tjetër nga partia e parë e opozitës parlamentare, sipas kritereve objektive të bazuara në:


i) përzgjedhjen rastësore;


ii) shpërndarjen e barabartë në territorin zgjedhor;


c)  sekretari i KZAZ-së duhet të jetë jurist dhe propozohet nga partia, e cila propozon zëvendëskryetarin e KZAZ-së;


ç) 30% e anëtarëve të propozuar përkatësisht nga partia më e madhe e shumicës dhe partia më e madhe e opozitës, në shkallë vendi, duhet të jenë nga secila gjini.


Kodi Zgjedhor, në nenin 36 të tij, përcakton se:


1. Komisioni i Qendrës së Votimit (KQV-ja) përbëhet nga 7 anëtarë, ku një anëtar ushtron detyrën e sekretarit. KQV-ja formohet sipas mënyrës dhe kritereve të nenit 29 të këtij Kodi për çdo lloj zgjedhjeje, me përjashtim të shkronjës “ç” të pikës 1 të nenit 29 të këtij Kodi.


Sa më sipër, administrimi i zgjedhjeve qartësisht është partiak dhe atë e bëjnë partitë e mëdha parlamentare. Ky realitet ka rezultuar në manipulime të vazhdueshme të zgjedhjeve dhe kontestime për shtrembërim të vullnetit të votuesve. Administrata zgjedhore, e cila presupozohet të jetë asnjanëse për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e pavarur, referuar ligjit është tërësisht e varur, pasi emërohet nga partitë e mëdha parlamentare.


Ky model ul besimin e qytetarëve te zgjedhjet, duke krijuar perceptimin se është e kotë të votosh për ndryshim, pasi në çdo rast janë vetë partitë e mëdha ato të cilat administrojnë, numërojnë dhe certifikojnë zgjedhjet.


Administrimi i zgjedhjeve në çdo rast duhet të jetë asnjanës, i varur nga ligji dhe i pavarur nga subjektet garuese në zgjedhje. Administrimi i zgjedhjeve duhet t’u kalojë profesioneve të pavarura nga politika dhe konkretisht gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe noterëve. Konstatimi i problemeve me procesin duhet të shoqërohet me përgjegjësi penale dhe me heqje të licencës së këtyre profesionistëve, duke e pamundësuar kështu deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe duke i dhënë sistemit një garanci që nuk e ka patur më parë.

webflow icon
Buy this Template
All Templates